Sa Kohë duhet për të marrë veten pas një Implanti Dentar?

Keni planifikuar me kujdes kohën për t’iu nënshtruar ndërhyrjes për të vendosur  implant dentar? Keni bërë ekzaminimet e nevojshme dhe më në fund ndërhyrja përfundon me sukses. Po çfarë ndodh më pas? Parapërgatitja për periudhën e rekuperimit është po aq e rëndësishme sa dhe masat që merrni para ndërhyrjes, për të lehtësuar veten nga frika, apo shqetësimet e mundshme gjatë këtij proçesi. Këtu, do t’i përgjigjemi disa prej pyetjeve më të shpeshta që dëgjojmë nga pacientët tanë dhe që ju ndihmojnë të përballoni me sukses gjithë periudhën e nevojshme për të marrë veten pas vendosjes së implanteve dentare.

  • Sa dhimbje do të kem pasi vendos një implant dentar?

Sado e frikshme të duket, për shumicën e pacientëve, dhimbja është krejtësisht e durueshme. Madje shumë pacientë kthehen në punë menjëherë pas vendosjes së implanteve dentare. Një pjesë e madhe e përballojnë lehtësisht me qetësues të lehtë që mund të merren pa recetë. Proçedura për vendosjen e implantit zakonisht kërkon vetëm një prerje të vogël të mishit të dhëmbëve dhe kocka nuk ka fije nervore, që do të thotë se dhimbja është minimale. Nëse ndërhyrja është më e ndërlikuar, dentisti mund të rekomandojë një qetësues dhe dhimbja kalon pas një apo dy ditësh.

  • Kur mund të ha normalisht?

Për shumicën e pacientëve rekomandojmë që të presin të paktën një orë para se të hanë. Duam të sigurohemi që mishrat e dhëmbëve të kenë kohën e nevojshme të mpiksjes. Pasi të keni hequr garzën dhe të ketë pushuar gjaku, mund të hani diçka të butë. Bëni kujdes të mos pini lëngje me kallam dhe mbi të gjitha jo lëngje të nxehta! Ushqimet e forta mund të filloni t’i provoni pas 24 orësh, por mund të gjykoni vetë se cilat ushqime janë më të përballueshme për ju dhe nuk shkaktojnë dhimbje.

  • Çfarë duhet të pres gjatë proçesit të shërimit kur vendosni implant dentar?

Ditën e parë mund të keni pak dhimbje, ndjeshmëri dhe një enjtje të lehtë. Përmirësimi ndihet pas çdo dite, por në rast se dhimbja nuk largohet, duhet të kontaktoni menjëherë me dentistin tuaj për të gjetur shkakun dhe për të marrë ndihmën e nevojshme. Për lehtësimin e simptomave pas vendosjen së implanteve dentare, mund t’ju ndihmojë vendosja e akullit në faqen nga është bërë ndërhyrja, apo ibuprofeni në doza normale. Edhe nëse përjetoni marrje mendsh apo trazim të stomakut, këto do të largohen brenda 24 orëve.

  • Sa kohë duhet për ta marrë veten plotësisht pas ndërhyrjes së implantit dentar?

Koha e rekuperimit varet nga lloji i ndërhyrjes për vendosjen e implanteve dentare. Për shumicën e njerëzve, koha e shërimit është një deri në dy ditë. Por nëse keni vendosur më shumë se një implant, apo është bërë transplant i kockës, koha e rekuperimit mund të zgjasë një deri në dy javë. Sigurisht që koha për të marrë veten pas proçedurës së implanteve dentare varet edhe nga gjendja juaj shëndetësore, mosha, si dhe higjena orale.

  • A është e vështirë të kujdesesh për implantet dentare?

Gjëja më e rëndësishme që duhet të bëni kur vendosni implant dentar është të ruani një higjenë sa më të mirë të gojës gjatë kohës së rekuperimit. Për të paktën 24-48 orë pas proçedurës së implanteve dentare, rekomandojmë që pacientët të shpëlajnë gojën rregullisht me ujë të ngrohtë me kripë. Pas kësaj periudhe, mund të filloni t’i lani lehtë me furçë dhe të përdorni fillin dentar. Mos harroni se s’duhet të përdorni kallama për të pirë lëngje dhe as produkte duhani.

Pas shërimit të plotë, implantet dentare do t’i trajtoni me të njëjtin kujdes si dhe dhëmbët tuaj. Pavarësisht se e mira e implanteve është që nuk prishen si dhëmbët natyralë, kujdesi i duhur ndihmon në jetëgjatësinë e tyre. Gjithashtu, duhet treguar kujdes edhe për mishrat e dhëmbëve rreth implanteve.

Në Brianza Dent, ju këshillojmë e udhëzojmë në çdo hap të proçedurës dhe i përgjigjemi në çdo kohë çdo pyetjeje apo shqetësimi që të keni për implantet dentare, sepse duam të sigurohemi që buzëqeshja juaj të jetë rrezatuese gjatë gjithë jetës!

Comments are closed.